Apple po përgatit një pajisje fitnesi pa ekran, ngjashëm me Whoop
Apple raportohet se po zhvillon një pajisje të re për monitorimin e shëndetit dhe aktivitetit fizik, por pa ekran, në një lëvizje që do ta vendoste kompaninë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me pajisje si Whoop.
Tregu i gjurmuesve të fitnesit pa ekran është zgjeruar ndjeshëm këtë vit. Google ka prezantuar Fitbit Air, Garmin ka lançuar Cirq Smart Band, ndërsa Amazfit ka sjellë Helio Strap Pro. Tani, sipas raportimeve, edhe Apple po eksperimenton me një pajisje të ngjashme.
Këto pajisje përdorin sensorë për të mbledhur të dhëna mbi shëndetin dhe aktivitetin fizik, ndërsa informacioni transmetohet përmes Bluetooth-it drejtpërdrejt në aplikacionin e telefonit.
Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple ka disa muaj që po studion teknologjinë e pajisjeve të veshshme pa ekran dhe aktualisht po teston prototipe me një rrip të hollë prej materiali tekstil dhe një modul kompjuterik të pajisur me sensorë.
Burimet e Gurman thonë se në zhvillimin e projektit është përfshirë edhe ekipi i Apple që merret me pajisjet Vision, i njëjti ekip pas kufjeve Vision Pro.
Megjithatë, Apple ende nuk ka vendosur nëse do ta nxjerrë këtë produkt në treg. Projekti
Kjo do t’i mundësonte Apple të synonte edhe një grup përdoruesish që nuk duan një smartwatch me dhjetëra funksione, por vetëm një pajisje të fokusuar te gjurmimi i aktivitetit fizik, gjumit dhe parametrave shëndetësorë.
Nëse projekti realizohet, inteligjenca artificiale pritet të ketë një rol të rëndësishëm. Siri dhe Apple Intelligence mund të përdoren për të analizuar të dhënat shëndetësore, për të krijuar përmbledhje dhe për t’u dhënë përdoruesve sugjerime, pa pasur nevojë që pajisja të ketë një ekran.
Në aplikacionin e ri Health, për shembull, Apple Intelligence do të analizojë metrikat shëndetësore dhe do të ofrojë përmbledhje e rekomandime. Një qasje e tillë do të përshtatej mirë me një pajisje pa ekran, ku përdoruesi mund të ndërveprojë me të përmes zërit dhe Siri-t.
Megjithatë, sipas Gurman, edhe nëse Apple vendos të vazhdojë me projektin, një pajisje e tillë nuk pritet të dalë në treg para vitit 2028.
Një tjetër mundësi që po përflitet prej kohësh është një Apple Ring, një unazë inteligjente që do të fokusohej në monitorimin e shëndetit dhe gjumit.
Për Apple, sfida nuk do të jetë vetëm teknologjia. Shumë pajisje të tilla në treg funksionojnë me abonime mujore ose vjetore, ndërsa Apple Watch dhe aplikacioni Health nuk kërkojnë pagesa të tilla për funksionet bazë.
Raportohet se ka ngjallur interes edhe te drejtues të lartë të kompanisë, përfshirë Tim Cook dhe Eddy Cue.
Raportimi vjen menjëherë pas prezantimit nga Apple të një versioni të ridizajnuar të aplikacionit Health, i cili pritet të sjellë funksione të reja për përdoruesit më vonë gjatë këtij viti.
Dy prej tyre janë Readiness Score dhe Health Age. I pari synon të tregojë se sa i përgatitur është trupi për aktivitetet e ditës, ndërsa i dyti vlerëson moshën biologjike dhe mënyrën se si po plaket trupi në raport me moshën kronologjike.
Funksione të ngjashme tashmë ofrohen nga pajisje si Whoop dhe Oura Ring, i cili përfshin gjithashtu një vlerësim të gatishmërisë dhe një tregues për moshën kardiovaskulare.
Një pajisje pa ekran do të kishte disa avantazhe për Apple. Përveç faktit se përdoruesi do të kishte një ekran më pak për të parë, mungesa e ekranit do të kursente edhe baterinë. Pajisjet e tilla janë zakonisht më të holla, më të lehta dhe më komode për t’u mbajtur gjatë gjumit.
Nëse Apple arrin të krijojë një pajisje pa ekran që ofron monitorim të avancuar të shëndetit pa abonim të detyrueshëm, ajo do të mund të krijojë një kategori të re produkti brenda ekosistemit të kompanisë. /telegrafi