Gjini: Kosova shkon në zgjedhje, fajtor i vetëm Albin Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për afatet kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit.

Gjini ka thënë se Kushtetuesja ka konstatuar se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar, duke pretenduar se AAK-ja e kishte ngritur këtë çështje edhe më herët.

“Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë. E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, vendimi i Kushtetueses ka përcaktuar 6 tetorin si datën e fundit të afatit për zgjedhjen e Presidentit.

“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, ka thënë Gjini.

Ai ka pretenduar se Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë vendin nga një situatë e pasigurt lidhur me afatet kushtetuese.

Gjini ka kritikuar gjithashtu çdo veprim që, sipas tij, bie ndesh me Kushtetutën.

“Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar ai.

Në fund, Gjini ka thënë se qytetarët e Kosovës, sipas tij, i kanë të qarta zhvillimet politike dhe interesat partiake të akterëve politikë, si dhe zgjidhjet që ofrohen për përmirësimin e jetës së qytetarëve.