Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve dhe dy të tjerëve në Suharekë për ndërtim të kundërligjshëm

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare, ndërtimin pa leje dhe punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Sipas Prokurorisë, H.M., në cilësinë e Inspektorit të Ndërtimtarisë në Komunën e Suharekës, dhe A.D., drejtor i Inspekcioneve në këtë komunë, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, transmeton Zeri.info.

Investitori N.B. akuzohet për “Ndërtim pa leje”, ndërsa A.H., pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.”, për “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”.

Rasti, sipas aktakuzës, lidhet me parregullsi gjatë mbikëqyrjes dhe realizimit të punimeve ndërtimore në një objekt në Komunën e Suharekës, për të cilin ishte lëshuar leje ndërtimore.

Prokuroria pretendon se, ndonëse investitori ishte urdhëruar të ndërpriste punimet dhe të pajisej me leje ndërtimore, zyrtarët komunalë nuk kishin kryer kontrollin e mëtejshëm brenda afatit të përcaktuar.

Sipas aktakuzës, gjatë një inspektimi të mëvonshëm, gjendja reale e objektit nuk ishte pasqyruar plotësisht, pasi nuk ishin evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.

Në anën tjetër, investitori N.B. dyshohet se e kishte ndërtuar objektin në kundërshtim me kushtet e lejes. Për objektin ishte lejuar etazhiteti B+P+2, ndërsa, sipas Prokurorisë, ai ishte realizuar me B+P+3.

Po ashtu, pretendohet se ishin tejkaluar vijat ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.

Sipas aktakuzës, këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar për shkak të taksave të papaguara.

A.H., si pronar i kompanisë “B.P.”, e cila kishte realizuar projektimin dhe punimet ndërtimore në objekt, dyshohet se kishte kryer punime në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Zëri