Mbi 31 mijë më pak fëmijë përfituan shtesa mujore gjatë muajve të fundit në Kosovë

Një rënie e ndjeshme e numrit të fëmijëve që përfitojnë shtesat mujore është evidentuar gjatë muajve të fundit në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i përfituesve nga shtesat për fëmijët e moshës 0 deri në 16 vjeç ka shënuar rënie për më shumë se 31 mijë gjatë periudhës nga marsi deri në gusht të këtij viti.

Në gusht, shtesat mujore janë përfituar nga 374 mijë e 382 fëmijë, ndërsa në mars numri i përfituesve ishte 404 mijë e 233.

Të dhënat tregojnë se rënia ka nisur që nga muaji mars dhe ka vijuar edhe gjatë muajve në vazhdim, me ulje më të theksuar të numrit të përfituesve gjatë korrikut dhe gushtit.

Në qershor, shtesat i kanë përfituar rreth 401 mijë fëmijë, ndërsa në korrik ky numër ka rënë nën 392 mijë.

Në total, nga marsi deri në gusht, numri i fëmijëve përfitues është ulur me rreth 29 mijë e 851, duke u bazuar në shifrat e publikuara nga ASK-ja.

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar duke thënë se deri në qershor Qeveria ka lejuar diasporën me abuzu me shtesat për fëmijë.

“Si kanë përfundu zgjedhjet, e kanë kapë votën, e paskan ndalë kronin. Pas majit e qershorit, rreth 30.000 pagesa për shtesa më pak, kryesisht të pastruara nga diaspora. Krejt çka ka kritiku LVV-ja sa ka qenë në opozitë, e ka ba edhe ma zi kur ka ardhë në pushtet. Një premtim i pambajtur, një tradhti ndaj kauzave për qeverisje dhe një Kosovë ma të mirë”, ka shkruar ai.