Nxënësit nga Panairi i Librit: Na pëlqejnë librat për historinë, sepse mësojmë për UÇK-në
Nxënësit që kanë vizituar edicionin e katërt të Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë kanë treguar për rëndësinë që ka leximi për ta, ndërsa kanë veçuar librat për historinë e Kosovës, UÇK-në dhe sportin, si disa nga temat që u interesojnë më shumë.
Nxënësja Simona Tanushaj tha se lexon shpesh libra, pasi sipas saj, leximi e pasuron mënyrën e të shprehurit dhe njohuritë.
“Po unë lexoj goxha shpesh libra, se këta që lexojnë libra e kanë mendjen më të madhe edhe mendoj që pasurohem më shumë kur foli, kështu që mendoj që është mirë. E kam ble (librin) se kam qejf me msu për historinë e Kosovës, kam qejf me ditë çka u bo në luftë edhe qysh po e shihni unë jam pak si patriote edhe thashë hajt ta blej këtë libër mbasi ishte edhe lirë. Po edhe vitin e kalum kemi ardhë në panair, kam ardhë dy ditë edhe tash kom ardhë edhe prapë është shumë interesant po duket”, tha ajo.
Ndërkaq nxënësi Ar Zajmi tha se kishte blerë një libër për futbollin, ndërsa tregoi se në panair kishte qenë edhe vitin e kaluar. Ai tha se krahas sportit, i pëlqejnë edhe librat për historinë dhe UÇK-në.
“Unë e kom ble një libër të futbollit. Po (më pëlqen futbolli). Po, jom konë vitin e kalum (në panair dhe do të vi prapë. Librat e tjerë që më pëlqejnë janë të historisë, të UÇK-së”, tha ai.Edhe nxënësi Rron Berisha tha se kishte ardhur në panair së bashku me shkollën, duke theksuar rëndësinë e librave për fëmijë dhe interesimin e tij për historinë e Kosovës.“Kom ardhë me shkollë, po veç me shiku sepse librat për fëmijë janë shumë të rëndësishëm. Më pëlqejnë historisë, të vendit tonë, sepse tani unë kur i lexoj ato histori di ma shumë për vendin tim”, tha ai.
Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po mbahet në Amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”, ndërsa për pesë ditë do të ofrojë libra dhe aktivitete kulturore, edukative, artistike e kreative për fëmijë dhe familje.
Në ditën e parë të panairit janë zhvilluar aktivitete me figura publike, aktivitete në fushën e STEM-it, muzikë, vallëzim dhe aktivitete të tjera për fëmijët.