Arsimi dual zgjerohet në mbi 2.500 nxënës dhe 1.000 ndërmarrje partnere

Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar konferencën “Përmbyllja e Arsimit Dual në Kosovë: Arritjet, mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtejmë”, ku u theksua zgjerimi i këtij modeli të arsimit profesional në Kosovë, nga rreth 100 nxënës në fazën pilot në mbi 2,500 nxënës në 32 shkolla profesionale dhe mbi 1,000 ndërmarrje partnere.

Ambasadori i Luksemburgut në Prishtinë, Eric Dietz, tha se arsimi dual e lidh mësimin me botën e punës, duke u mundësuar të rinjve zhvillimin e aftësive praktike dhe bizneseve sigurimin e fuqisë punëtore të kualifikuar.

“Mbështetja e arsimit profesional është një investim te njerëzit. Arsimi dual e lidh mësimin me botën e punës, duke i ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë aftësi praktike, ndërsa bizneseve u siguron fuqinë punëtore të kualifikuar për të cilën kanë nevojë. Duke u bazuar në mbështetjen e mëhershme për modernizimin e arsimit profesional, bashkëpunimi ynë ka forcuar lidhjen ndërmjet arsimit dhe punësimit. Gjashtë programe të reja në fusha si teknologjia informative dhe e komunikimit (TIK), energjia e ripërtëritshme dhe përpunimi i drurit, po u mundësojnë të rinjve të pajisen me aftësi për sektorët në rritje të ekonomisë së Kosovës”, tha ai.

Dietzi tha se zgjerimi i arsimit dual është rezultat i partneritetit ndërmjet institucioneve arsimore, nxënësve dhe sektorit privat.

“Suksesi është ndërtuar mbi partneritete të forta dhe trajnime cilësore. Duke mbështetur njësoj nxënësit, mësimdhënësit, instruktorët në vendin e punës dhe bizneset, kemi ndihmuar në krijimin e një mjedisi ku mësimi dhe praktika shkojnë krah për krah. Rezultatet flasin vetë. Që nga viti 2022, arsimi dual është zgjeruar nga një iniciativë pilot që përfshinte rreth 100 nxënës, në më shumë se 2,500 nxënës në 32 shkolla profesionale dhe mbi 1,000 ndërmarrje partnere”, tha ai.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Lah Nitaj, tha se Kosova tashmë është në vitin e katërt të zbatimit të arsimit dual, ndërsa sipas tij, ky model është shndërruar në një histori suksesi.

“Jemi në vitin e katërt të realizimit të arsimit dual në Kosovë. Arsimi dual në Kosovë ka nisur mbi bazën e programit qeverisës, nga qeveria e kaluar, me nismën dhe mbështetjen e fuqishme të ish-ministres së arsimit, zonjës Nagavci. Tashmë kemi diplomuar gjeneratën e dytë, vitin tjetër diplomon gjenerata e tretë, dhe në këtë kuptim ne përmbyllim ciklin 5-vjeçar të një plani operativ që kemi dizajnuar, po me qeverinë e Luksemburgut, po me projektet e financuara nga qeveria e Luksemburgut, tash e sa vite. Arsimi dual në Kosovë është storie e suksesit, dhe kjo na bën të mburremi që të gjithë. Qëllimi jonë është që edhe në komuna, edhe në shkolla, edhe me profile të reja, nuk jemi duke vrapuar, por po duam të bëjmë diçka të qëndrueshme dhe që ka konsistencë edhe do të rezistojë në kohë dhe do të jetë mënyra më e mirë e përmbushjes së nevojave të ekonomisë së Kosovës, me kontribute të të gjithë neve”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, tha se arsimi dual po krijon një partneritet më të qëndrueshëm ndërmjet sektorit privat dhe sistemit të arsimit e aftësimit profesional.

“Sot nuk po shënojmë vetëm një hap përpara në arsimin, dhe aftësim profesional, por po institucionalizojmë një kthesë rrënjësore, një moment historik në mënyrën se si po e përgatisim fuqinë punëtore për të ardhmen. Nënshkrimi i marrëveshjeve të mirëkuptimit ndërmjet Odës Ekonomike të Kosovës dhe 32 shkollave profesionale që janë pjesëmarrëse në arsimin dual, është dëshmi e angazhimit tonë institucional për të ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm, ndërmjet sektorit privat dhe sistemit të arsimit e aftësimit profesional. Këto marrëveshje nuk janë thjesht dokumente formale; ato përfaqësojnë urën lidhëse që garanton një mjedis shumë më profesional ndërmjet sektorit privat dhe publik. Arsimi dual është përgjigjja jonë e përbashkët ndaj kërkesave të tregut. Përmes Qendrës për Arsim Dual, pra në Odës Ekonomike të Kosovës, po certifikojmë ndërmarrjet për arsimin dual. Trajnojmë instruktorë, në kompani dhe ekzaminerë, ku sektori privat po luan rolin qendror në zhvillimin e nxënësve baraz me shkollat”, tha ai. /eo