23-vjeçari Vilson Agasi ka nevojë për ndihmë për operacionin dhe rehabilitimin në Gjermani

Vilson Agasi, vetëm 23 vjeç, po përballet me një rrugëtim të vështirë shëndetësor dhe së shpejti pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të rëndësishme kirurgjikale në Gjermani.

Sipas apelit për ndihmë nga familjarët e tij, Agasi që nga mosha njëvjeçare jeton me paralizë cerebrale spastike infantile, sindroma të tjera paralitike dhe paraplegji inferiore, gjendje që kanë shkaktuar kufizime të mëdha në lëvizje dhe në jetën e përditshme.

Ndërhyrja kirurgjikale në Gjermani synon përmirësimin e gjendjes së tij dhe të cilësisë së jetës. Megjithatë, pas operacionit pritet të nevojitet një periudhë e gjatë rehabilitimi, përfshirë fizioterapi intensive, pajisje ndihmëse dhe monitorim të vazhdueshëm mjekësor.

Për këtë arsye është hapur një apel për mbledhjen e mjeteve financiare, të cilat do të përdoren për mbulimin e operacionit, udhëtimit dhe qëndrimit në Gjermani, fizioterapisë, rehabilitimit, pajisjeve ndihmëse dhe kontrolleve pas ndërhyrjes.

Vetëm kostoja e operacionit është paraparë të jetë rreth 15 mijë euro, ndërsa shpenzimet e tjera do të varen nga kohëzgjatja e qëndrimit dhe nevojat e rehabilitimit.

“Çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëhet pjesë e kësaj rruge. Mund të ndihmojë Vilsonin të punojë për më shumë lëvizshmëri, më shumë pavarësi dhe një jetë të përditshme me më pak kufizime”, thuhet në apelin për ndihmë.

Organizatorët e apelit u kanë bërë thirrje qytetarëve që, përveç kontributit financiar, ta shpërndajnë edhe apelin, në mënyrë që ai të arrijë te sa më shumë njerëz.

Sipas tyre, fondet e mbledhura do të përdoren ekskluzivisht për nevojat e Vilson Agasit dhe për procesin e tij të trajtimit dhe rehabilitimit.

“Çdo ndihmë ka rëndësi. Çdo shpërndarje e këtij apeli ka rëndësi. Çdo kontribut mund të bëhet pjesë e rrugëtimit të Vilsonit”, thuhet në fund të apelit.

KETU MUND TA NDIHMONI VILSONIN: