Kryeministri kroat kritikon Serbinë për nderimet e bëra ndaj Mlladiqit: Fyerje ndaj viktimave

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq kritikoi Serbinë gjatë fjalimit të tij në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke dënuar nderimet zyrtare që, sipas tij, i janë bërë Ratko Mlladiqit.

Plenkoviqi i cilësoi këto veprime si një fyerje ndaj viktimave dhe ndaj vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Ai theksoi se pajtimi në Evropë kërkon përballjen me krimet e së kaluarës, respektimin e viktimave dhe refuzimin e glorifikimit institucional të autorëve të krimeve.

Duke iu referuar të kaluarës së Mlladiqit, Plenkoviqi përmendi bombardimet e qyteteve kroate, vrasjet e civilëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës kulturore e industriale, ndërsa theksoi se mizoritë kulmuan me gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995.

Mlladiqi u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Në fjalimin e tij, Plenkoviqi foli gjithashtu për situatën në Lindjen e Mesme. Ai bëri thirrje për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve dhe për garantimin e qasjes humanitare në Gazë.

Kroacia, tha ai, mbështet një zgjidhje të negociuar me dy shtete, me qëllim që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe dhe siguri.