Dyshohet se privoi nga jeta të miturin, vushtrriasi dhe bashkëpunëtori i tij dorëzohen në policinë gjermane

Dy të rinjtë që ishin shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane për dyshimin se janë përfshirë në një përleshje, ku humbi jetën një 15-vjeçar në Marsberg, janë dorëzuar në polici.

Në mesin e tyre është edhe 23-vjeçari nga Vushtrria, Albin Bejtullahu. Së bashku me bashkëpunëtorin e tij të dyshuar, ai është paraqitur vetë te autoritetet pas kërkimeve të zhvilluara nga policia gjermane.

Policia e Dortmundit njoftoi të martën në mbrëmje se dy të dyshuarit, 22 dhe 23 vjeç, janë dorëzuar. Më herët, ndaj tyre ishin lëshuar urdhër-arreste nën dyshimin për vrasje të qëllimshme (Totschlag) dhe lëndim të rëndë trupor, shkruajnë mediat gjermane.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 19 shtator, në lagjen Essentho të Marsbergut, pranë një feste private të ditëlindjes. Sipas autoriteteve gjermane, aty ka nisur një përleshje gjatë së cilës një 15-vjeçar nga Dortmundi është goditur me thikë. Ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Në të njëjtën përleshje, një 18-vjeçar tjetër është plagosur rëndë dhe është dërguar për trajtim në spital.

Pas ngjarjes, policia kishte publikuar fotografitë e dy të dyshuarve dhe kishte nisur kërkimet për lokalizimin e tyre. Në operacion ishte përfshirë edhe një helikopter, ndërsa autoritetet kishin bërë të ditur se nuk kishte indikacione për një rrezik të drejtpërdrejtë për popullatën.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat gjermane, dy të dyshuarit janë nga Hamm. Ata janë identifikuar si Alex Olntasi, 22 vjeç, shtetas grek, dhe Albin Bejtullahu, 23 vjeç, shtetas i Kosovës.

Pas dorëzimit të tyre, policia ka tërhequr kërkimin publik.

Të dy pritet të dalin para gjyqtarit të paraburgimit të mërkurën, më 23 shtator, ku do të vendoset për masën e mëtejshme ndaj tyre.

Ndërkohë, hetimet për rastin vazhdojnë. Prokuroria dhe policia po përpiqen të sqarojnë se si nisi përleshja, cili ishte motivi i saj dhe çfarë roli ka pasur secili prej dy të dyshuarve në ngjarje.