18-vjeçari nga Kosova dënohet me nëntë vjet burg në Gjermani

Gjykata e Lartë Rajonale e Dyseldorfit ka dënuar me nëntë vjet burg një 18-vjeçar nga Kosova, pasi ai kishte tentuar të vriste mësuesen e tij.

I riu, i cili dyshohet se ka vepruar për motive islamiste, u shpall fajtor të martën (22.09) për dy raste të tentativës për vrasje dhe lëndim të rrezikshëm trupor, bëri të ditur një zëdhënëse e gjykatës.

Vendimi, në të cilin është marrë parasysh edhe një dënim i mëparshëm për të mitur nga Gjykata e Qarkut në Essen, ende nuk është i formës së prerë.

Nuk përjashtohet ndalimi preventiv

Trupi gjykues urdhëroi vendosjen e 18-vjeçarit në një institucion për terapi sociale. Sipas mediave gjermane (dpa, epd https://www1.wdr.de/nrw/essen/essen-mordversuch-jugendlicher-berufsschule-messerattacke-100.html), meqë i riu nga Kosova pritet të kryejë edhe vepra të tjera të rënda penale, nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së tij më vonë në ndalim preventiv.

Me dënimin prej nëntë vjetësh burgim, gjykata u bazua në kërkesën e Prokurorisë Federale dhe mbeti vetëm një vit nën dënimin maksimal prej dhjetë vjetësh për të mitur.

Radikalizimi përmes internetit

Gjykata e konsideroi të provuar se i akuzuari kishte zhvilluar një qëndrim radikal islamist përmes internetit.

Transmetuesi publik WDR, pjesë e ARD, në shtator të vitit të kaluar, kur ishte 17-vjeç, nxënësi kishte vendosur të vriste mësuesen e tij kujdestare në një shkollë profesionale, si dhe sa më shumë persona të besimit hebre që të mundej në Sinagogën e Vjetër në Essen.

Fyerja ndaj Profetit si shkak i sulmit

18-vjeçari, i cili ka pranuar veprat, deklaroi se mësuesja e tij kishte fyer Profetin Muhamed.

Ditën e sulmit, ai fillimisht sulmoi dhe plagosi kujdestarin e një shkolle fillore, ku kishte kryer orë shërbimi në komunitet.

Më pas, shkoi në shkollën profesionale në Essen dhe e sulmoi mësuesen me thikë. Gruaja pësoi plagë të rrezikshme për jetën në pjesën e kraharorit.

Sinagoga e Vjetër ishte objektivi tjetër

Sipas trupit gjykues, i akuzuari u largua nga vendi i sulmit drejt Sinagogës së Vjetër në Essen, ku, sipas Prokurorisë së Përgjithshme Federale, synonte të vriste sa më shumë hebrenj.

I frustruar nga fakti se sinagoga ishte e mbyllur në atë kohë, ai më pas sulmoi me thikë një person të pastrehë në një stacion autobusi, duke e plagosur edhe atë në rrezik për jetën.

Policia i dha fund sulmit

Policia e ndaloi të riun në një park aty pranë, pasi ai nxori thikën.

Sipas aktakuzës, ai synonte të vdiste si “martir” nga të shtënat e policisë.

Një prej pjesëtarëve të policisë qëlloi me automatik dhe e goditi të akuzuarin në fytyrë. Ai më pas u arrestua me plagë të rënda.