Çlirimi Haziri: Shtatë ditë protestë, mos prisni që java e dytë të jetë si e para

Protesta në Prishtinë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në natën e shtatë, ndërsa protestuesit kanë përsëritur thirrjet kundër asaj që e konsiderojnë si përpjekje për njollosjen e luftës së UÇK-së.

Në fjalimin e tij para protestuesve, Çlirim Haziri ka theksuar se fakti që qytetarët janë mbledhur shtatë net radhazi tregon, sipas tij, se protesta nuk është shuar dhe se pjesëmarrësit nuk janë dorëzuar.

“Pas një jave jemi ende këtu. Nuk jemi lodhur. Nuk jemi larguar. Nuk kemi heshtur”, ka deklaruar Haziri.

Duke iu referuar 28-vjetorit të rënies së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Haziri ka thënë se qëndrimi i protestuesve për shtatë net në shesh është i vogël krahasuar me sakrificën e tyre.

“Para sakrificës së Fehmiut dhe Xhevës, qëndrimi ynë shtatë net në këtë shesh është pak! E sidomos sot, 28 vjet më vonë, kur po tentohet të njolloset lufta për të cilën ata dhanë jetën”, ka thënë ai.

Haziri ka theksuar se protesta, sipas tij, nuk është organizuar për një parti politike, por për një kauzë që protestuesit e lidhin me mbrojtjen e UÇK-së.

“Sepse nuk jemi mbledhur për një fotografi. Nuk jemi mbledhur për një parti politike. Jemi mbledhur për një kauzë. Jemi bashkë për UÇK-në”, ka deklaruar Haziri.

Një pjesë të fjalimit të tij Haziri ia ka kushtuar edhe kërkesave drejtuar institucioneve të Kosovës. Ai ka përmendur projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për të cilin tha se është dorëzuar një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës.

“Tash është koha që institucionet të përgjigjen! Sepse një javë kemi pritur. Një javë kemi protestuar. Një javë kemi folur qetë”, ka thënë ai.

Haziri ka paralajmëruar vazhdimin e protestave nëse, siç tha, institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të protestuesve.

“Mos prisni që java e dytë të jetë si e para. Nëse mendoni se koha punon kundër këtij sheshi – gaboheni! Nëse mendoni se heshtja do të na lodhë – gaboheni!”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka thënë se çdo ditë pa përgjigje nga institucionet do t’i gjejë protestuesit sërish në shesh.

“Sa më gjatë të heshtni, aq më shumë do të rritet zëri i këtij sheshi!”, është shprehur Haziri.

Në fund të fjalimit, Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestave në ditët në vijim.

“Nesër silleni edhe një mik me vete! Silleni një familjar! Thirreni atë që deri sot ka qëndruar në shtëpi! Sepse ky shesh nuk duhet të zvogëlohet. Ky shesh duhet të rritet”, ka thënë ai.

“Shtatë ditë nuk janë fundi! Shtatë ditë janë vetëm fillimi!”, ka deklaruar Haziri.

Fjalimin e ka përmbyllur me thirrjet: “Jo në emrin tim”, “Kosova nuk harron”, “Lavdi dëshmorëve të kombit”, “Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe “Bashkë për UÇK-në”./Zëri