Çitaku kritikon Kurtin për “asimetrinë e dënimeve”: Problemi është çfarë po dënohet

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklarimeve për “asimetri dënimesh” lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Çitaku, përmes një postimi, ka thënë se diskutimi nuk duhet të përqendrohet te kohëzgjatja e dënimeve, por te atë që, sipas saj, është duke u gjykuar përmes këtij procesi.

“Amani ju koftë, mos flisni për ‘asimetri dënimesh’, siç paska folur Kryetari i LVV-së. Sepse kjo i bie me thënë: dënojini, por jo bash kaq shumë, sepse këta katër burra nuk kanë bërë masakra e dhunë sistematike”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka ngritur pyetjen se cili është, sipas saj, thelbi i aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“A po e kuptoni thelbin e këtij dënimi? Këtu nuk bëhet fjalë nëse i morën 25 vjet, më pak apo më shumë. Thelbi është shumë më i rëndë: UÇK-ja është gjykuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Është kriminalizuar vetë ideja e luftës çlirimtare”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka theksuar se, sipas saj, çështja kryesore nuk lidhet me masën e dënimit, por me atë që është objekt i gjykimit.

“Pra, problemi nuk është masa e dënimit. Problemi është çfarë po dënohet. Lufta çlirimtare është kriminalizuar”, ka shtuar Çitaku.