Lirohet në Kroaci Bajram Bajrami, ishte ndaluar me urdhër-arrest të Serbisë

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është liruar nga autoritetet kroate, kosovari Bajram Bajrami.

Në njoftim theksohet se Bajrami ishte ndaluar në Kroaci në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, lidhur me pretendime për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Që nga momentet e para të ndalimit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme institucionale për adresimin e rastit, me ç’rast më 14 gusht 2026, përmes një shkrese zyrtare drejtuar Ministrit të Drejtësisë të Kroacisë, Damir Habijan, dhe autoriteteve kompetente, Ministrja Gërvalla ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Kosovës, duke ngritur njëkohësisht edhe shqetësimin lidhur me përdorimin e urdhër-arresteve të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës", theksohet tutje në njoftim.

Çështja është adresuar gjithashtu edhe gjatë bisedës telefonike të ministres Gërvalla me homologun e saj kroat, me qëndrimin se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mbahen peng nga pretendime të tilla të Serbisë dhe se, për çështjet që lidhen me veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, kompetenca u takon institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Ky rast është një tjetër dëshmi se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të mbeten vetëm përballë përpjekjeve të Serbisë për t’i ndjekur dhe ndaluar përmes mekanizmave ndërkombëtarë.

Republika e Kosovës  thuhet se do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve të saj, për t’i mbrojtur me vendosmëri të drejtat e tyre, dinjitetin e Republikës së Kosovës dhe të vërtetën për luftën tonë të drejtë çlirimtare.Askush nuk mund ta përdorë drejtësinë si instrument politik kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës.