Hoxhaj: Liria jonë do ta mbajë përjetë gjallë kujtimin për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka përkujtuar Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin në përvjetorin e rënies së tyre, duke bërë homazhe pranë varreve të dy dëshmorëve të kombit.
Hoxhaj ka publikuar në rrjetin social Facebook një video që ndërthur pamje nga intervista historike e Fehmi Lladrovcit për BBC-në, në maj të vitit 1998, me pamje nga homazhet e sotme.
Në video dëgjohet deklarata e njohur e Fehmi Lladrovcit, e dhënë gjatë luftës: “Ma e shtrenjtë është liria se jeta!”.
Krahas videos, Hoxhaj ka shkruar se sakrifica dhe dashuria e Fehmiut dhe Xhevës për Kosovën do të kujtohen përjetësisht.
“Ma e shtrenjtë është liria se jeta! - Fehmi Lladrovci. Sot, para varreve të Fehmiut dhe Xhevës, kujtojmë jo vetëm sakrificën e tyre, por edhe dashurinë e pakufishme për Kosovën. Ata dhanë jetën që ne të jetojmë të lirë. E liria jonë do ta mbajë përjetë gjallë kujtimin e tyre!Lavdi e përjetshme Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.