Edi Rama e shkarkon menjëherë Vlora Hysenin nga pozita e drejtueses së Inteligjencës shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga New Yorku lidhur me masën e arrestit shtëpiak të vendosur nga SPAK-u ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Rama ka thënë se pret që çdo dyshim i ngritur nga organi i akuzës të hetohet dhe të zbardhet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, por askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, ka deklaruar Rama.

Ai ka vlerësuar punën e Hysenit në krye të SHISH-it dhe vlerësimet që, sipas tij, ajo ka marrë nga agjencitë partnere, por ka theksuar se çështja e saj duhet t’u lihet organeve të drejtësisë.

“Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, ka thënë ai.

Rama ka kritikuar gjithashtu atë që e cilësoi si gjykim publik të personave nën hetim përpara përfundimit të procesit gjyqësor, duke theksuar se çdo person duhet të konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar.

Në fund, kryeministri ka bërë të ditur se lirimi nga detyra i Vlora Hysenit është i menjëhershëm, ndërsa pas kthimit në Tiranë dhe në konsultim me presidentin e Republikës, do të zgjidhet drejtuesi i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit. /Zëri