Inspektime kundër piraterisë në Prishtinë dhe Gjilan, MINTI intensifikon kontrollet
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka intensifikuar kontrollet kundër shkeljes së të drejtës së autorit dhe piraterisë në Kosovë.
Përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ekipet inspektuese kanë zhvilluar sot kontrolle në biznese në rajonet e Prishtinës dhe Gjilanit, me fokus të veçantë te subjektet që merren me fotokopjim, riprodhim dhe shpërndarje të materialeve të mbrojtura me të drejtë autori, transmeton Zeri.info.
Sipas MINTI-t, inspektimet kanë për qëllim verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore gjatë përdorimit dhe riprodhimit të materialeve të mbrojtura, si dhe parandalimin e shfrytëzimit të tyre pa autorizim.
Kontrollet po zhvillohen në bazë të Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta dhe Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.
MINTI ka bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, bazuar edhe në ankesat dhe informacionet e pranuara nga qytetarët për raste të dyshuara të shkeljes së të drejtës së autorit dhe piraterisë./Zëri