Biblioteka e Podujevës pasurohet me rreth 270 tituj të rinj dhe 4.388 ekzemplarë

Biblioteka e qytetit në Podujevë është pasuruar me rreth 270 tituj të rinj dhe gjithsej 4.388 ekzemplarë librash, të financuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Sipas Komunës së Podujevës, librat e rinj synojnë pasurimin e fondit të bibliotekës dhe krijimin e mundësive më të mëdha për lexuesit.

Në mesin e botimeve të reja ka libra shkencorë, romane, libra për fëmijë dhe literaturë nga fusha të ndryshme, duke e zgjeruar dhe diversifikuar fondin e bibliotekës për grupmosha dhe interesa të ndryshme.

Në pranimin e librave morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi.

Restelica tha se pasurimi i vazhdueshëm i bibliotekës me tituj të rinj është i rëndësishëm për krijimin e kushteve më të mira për lexuesit, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Ai theksoi se Komuna e Podujevës do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet dhe investimet që synojnë nxitjen e leximit, dijes dhe zhvillimit kulturor.