Kurti takon princin e Kurorës së Kuvajtit në New York, kërkon mbështetje për statusin e Kosovës në OBI

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me Princin e Kurorës së Kuvajtit, Sheikh Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah, në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kurti ka kujtuar mbështetjen e Kuvajtit për Kosovën gjatë dhe pas luftës, duke theksuar se në vitin 1999 një nismë televizive në këtë shtet kishte mbledhur shtatë milionë dollarë për Kosovën brenda një dite.

Gjatë takimit, sipas Kurtit, është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, ndërsa palët kanë shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e memorandumit për Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunim.

Po ashtu, Kurti ka bërë të ditur se së shpejti pritet të përmbyllen marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe mbrojtjen e investimeve.

Një nga kërkesat e Kosovës ka qenë edhe mbështetja e Kuvajtit për anëtarësimin e Kosovës me statusin e vëzhguesit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI).

Kurti dhe Princi i Kurorës kanë diskutuar gjithashtu për kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin paqeruajtës në Kuvajt, në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s, si dhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftimit të ekstremizmit.

Kuvajti e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 11 tetor 2011, ndërsa këtë muaj shënohen 15 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. /Zëri