Sekuestrohen mbi 9 kg drogë në brezin kufitar në Gjakovë, arrestohet një shtetas turk

Policia e Kosovës ka sekuestruar 9.4 kilogramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë në fshatin Popoc të Gjakovës, në zonën e brezit kufitar.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 21 shtator, gjatë patrullimit dhe punës në terren të njësive të Drejtorisë Rajonale të policisë kufitare “Perëndimi” në Gjakovë.

Personat e dyshuar, një natë më parë, ishin vënë nën ndjekje nga patrullat policore kufitare, ndërsa më pas kishin braktisur automjetin dhe kishin fshehur lëndën narkotike.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri çanta dhe një qese, të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, në peshë totale prej 9 kilogramësh e 400 gramësh.

Një i dyshuar, shtetas i Turqisë, është identifikuar dhe arrestuar nga njësitë policore në Prishtinë dhe Mitrovicë të Jugut, të cilat ishin në asistim policor.

Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “blerje, posedim, shitje e paautorizuar e lëndëve narkotike”.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /Zëri