Erdogani pas takimit me Kurtin: Do të vazhdojmë ta mbështetim Kosovën në komunitetin ndërkombëtar

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ndodhet në New York për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në “Turkish House”.

Në njoftimin e Zyrës së presidentit turk bëhet e ditur se në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, si dhe për çështje rajonale dhe globale.

Gjatë takimit, presidenti Erdogan deklaroi se të dyja vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për rritjen e vëllimit tregtar në përputhje me potencialin e tyre dhe për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

“Presidenti Erdogan rikonfirmoi se mbështetja e Turqisë për Kosovën në arritjen e vendit të saj të merituar në komunitetin ndërkombëtar do të vazhdojë, duke shtuar se Turqia mbështet gjithashtu dialogun ndërmjet vendeve të Ballkanit”, thuhet në njoftim.

Erdogani gjithashtu e ftoi kryeministrin Kurti të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të COP31, i cili do të mbahet në Turqi.

Në takim, presidenti Erdogan shoqërohej nga ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ministri i Tregtisë, Omer Bolat, kreu i Komunikimit i Presidencës, Burhanettin Duran, këshilltari kryesor i presidentit për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Akif Çagatay Kiliç, si dhe zëvendëskryetari i Këshillit Presidencial për Siguri dhe Politika të Jashtme, ambasadori Çagri Erhan.