Për herë të parë kryhet operacion në mëlçi në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë
Në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë është kryer për herë të parë një ndërhyrje kirurgjike në mëlçi, duke përdorur pajisjet e reja dhe teknologjinë bashkëkohore mjekësore, me të cilat është pajisur së fundmi ky institucion shëndetësor.
Sipas njoftimit të Spitalit, ndërhyrja është realizuar te një pacient i lindur në vitin 1977, i cili ishte paraqitur me vështirësi në jashtëqitje dhe dhimbje të forta abdominale.
Pas ekzaminimeve mjekësore, pacienti ishte diagnostikuar me tumor në zorrën e trashë, përkatësisht adenokarcinomë të kolonit transversal, e cila ishte shtrirë edhe në një pjesë të mëlçisë.
Ekipi mjekësor ka realizuar rezeksionin e kolonit transversal me anastomozë, përkatësisht heqjen e pjesës së prekur të zorrës së trashë dhe bashkimin e skajeve të saj, si dhe hepaektominë e segmentit III, me të cilën është hequr pjesa e prekur e mëlçisë.
Sipas spitalit, përdorimi i aparaturës së re ka mundësuar realizimin e ndërhyrjes në mëlçi me saktësi të lartë.
Operacioni është kryer nga dr. Fatbardh Rexha, dr. Lindita Uka Musa dhe dr. Granit Isa, specialistë të kirurgjisë, si dhe dr. Fatmir Ujkani, specialist i anesteziologjisë, Xhemë Peci, teknik i anestezionit, dhe instrumentaret, Mediha Potoku e Valbona Hajrizi-Fejza.
Gjatë ndërhyrjes është bërë edhe pastrimi i plotë i hapësirës së barkut dhe janë vendosur drenat për parandalimin e komplikimeve.