Arifi: Kosova është shndërruar në shtet jofunksional, s’pati asnjë veprim institucional pas vendimit në Hagë

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, ka kritikuar institucionet e Kosovës për mungesën e veprimeve institucionale pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se vendi është shndërruar në një shtet jofunksional.

Arifi ka thënë se çështja e luftës dhe shtetësisë është përtej interesave partiake dhe se Kuvendi dhe Qeveria duhet të kenë rol në vendimmarrje, duke vlerësuar se protestat shprehin revoltën, por nuk zëvendësojnë vendimmarrjen institucionale.

“Absolutisht po mendoj që jemi shndërruar në një shtet jo funksional. Me tu dënuar historia, lufta, shtetësia, është diçka që është përtej partive politike. Kështu s’ka parti politike, unë nuk i shoh 100 deputetë shqiptarë, të paaftë me komuniku, të paaftë me e kuptu çfarë ka ndodh, dhe të paaftë me e marrë një vendim. Kjo është paaftësi totale e një shteti jofunksional. Vetëm kështu e shoh që gjashtë ditë mos me pas një veprim normal. Edhe nëse nuk ka politikë s’paku human. Pra si është e mundur një shoqëri e tërë, sepse protesta është e mirë po nuk kryen punë. Protesta është vetëm një zë i revoltës, por vendimmarrja kryen punë. E këtu është parlamenti dhe qeveria. Dhe deputetët shqiptarë kanë bërë mbledhje të jashtëzakonshme për kafshë e për plastika. Nëse nuk janë në gjendje me i mbrojt vlerat e luftës, luftën por edhe vetë shtetësinë. Sepse unë jam i bindur që ende s’e kanë kuptu efektin se çka ka ndodhur. Por kur ta kuptojnë do të jetë shumë vonë”, tha ai.

Duke folur për dënimet e shqiptuara në Hagë, Arifi ka bërë një krahasim me dënimin e Albert Speerit nga Gjykata e Nurembergut, duke e paraqitur këtë si argument për atë që ai e konsideron trajtim të pabarabartë.

“Unë veç po e bëj një paralele me kuptu, veç dënimin me kuptu çfarë ka ndodh. Për ata hyri procesi që ka qenë, ka pas një zhvendosje prej mandatit për çka është bërë që është një shkelje shumë e rëndë. Albert Speer është, koka e nazizmit, gjithë ato krime që janë krijuar, pra mos të harrojmë, duhet t’ potencojmë evropianëve. Mbi 6 milionë hebrenj, gra, fëmijë janë vrarë. Albert Speer u dënua në gjykatën e Nurembergut vetëm 20 vjet. Dhe vetëm 20 vjet. Pra kjo është pyetja që duhet shtruar. Pra kjo po kupton që Gjykata Speciale, respektivisht edhe Bashkimi Evropian po dëshirojnë, UÇK-në me e paraqit si ushtria naziste në Gjermani. Pra kjo çështje është e papranueshme. Kjo është e pakuptueshme dhe jo humane”, tha ai.

Sa i përket mospublikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Speciale, Arifi ka pretenduar se kjo mund të jetë pjesë e një qasjeje të qëllimshme juridike dhe politike.

“Po kjo është vazhdimi i politikës me mjete juridike e të tjera. Pra një farë forme e qëllimshme po e vonojnë publikimin e vendimit. Qëllimshëm edhe ndoshta do ta publikojnë me redaktime, që do të ishte edhe një atak dhe agresion politik me mjete juridike ndaj palës mbrojtëse dhe ndaj Kosovës, dhe ndaj UÇK-së. Pra, këto gjëra do duhet të ishin të papranueshme. Këto janë veç vendime politike, kështu që kjo çështje për fat të keq juridikisht e ka humbur edhe sensin. Pra nuk zgjidhet politikisht, juridikisht sepse edhe Gjykata e Apelit po shihet që është në influencën e frikshme të kësaj gjykate. Pra të kryetares, respektivisht të Gjykatës. Duke parë edhe Jack Smith i cili është duke u ndjekur penalisht në SHBA ose është në hetime, gjithçka është në mjegullën e asaj që po vërehet që ka qenë një konspiracion tash faktet po dalin, dhe faktet po janë shumë të frikshme. Dhe nëse dëshmia e zotit Clark dhe James Rubin, qenka mbeturinë atëherë edhe Kosova është e tillë”, tha ai.

Arifi ka folur edhe për qëndrimet e akterëve ndërkombëtarë pas vendimit, duke thënë se, sipas tij, as vendet perëndimore nuk po e kuptojnë plotësisht efektin politik dhe diplomatik të procesit.

“Unë mendoj që, qasja e ndërkombëtarëve është e vështirë me e kuantifiku të cilat ndërkombëtarë, po mendoj ndoshta flasim vetëm për botën perëndimore. Sepse Rusia prapë nuk është e kënaqur me këtë vendim, as Serbia sepse ata janë të kënaqur shumë, por logjika e tyre është se ata janë viktima dhe kërkojnë edhe dënime edhe më të ashpra. Pra ata kërkojnë mendim, edhe për gjenocid, edhe për krime kundër njerëzimit e tjera e tjera”, tha ai për Ekonominë Online.

Arifi ka deklaruar se procesi mund të ketë pasoja edhe për mënyrën se si Kosova shihet në arenën ndërkombëtare.

“Po sidoqoftë mendoj që, as perëndimi nuk është duke e kuptuar efektin politik dhe diplomatik por edhe në fund juridik, të cilën ata vetë e kanë bërë. Pra përveç Kosovës edhe vetes, sepse në secilën tavolinë bilaterale, multilaterale gjithmonë do të diskutohet që NATO, perëndimi, dhe Bashkimi Evropian kanë ndërtuar një shtet mbi bazën e një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Pikë. Pra edhe ata që kanë pasur dyshime me na njohur, këto dyshime tash vetëm shtohen edhe bëhen të pamundura për të arritur njohje të plotë brenda NATO-s ose Bashkimit Evropian”, tha ai.