Avokati i Thaçit: Vendimi i Hagës dukej i përcaktuar e i shkruar paraprakisht, u injoruan plotësisht dëshmitarët e mbrojtjes
Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë dhe të paracaktuar.
Prosper tha se trupi gjykues, sipas tij, ka injoruar dëshmitë dhe materialet e paraqitura nga mbrojtja, ka rishkruar historinë e luftës së Kosovës dhe ka cenuar parimet e sundimit të ligjit.
Ai tha se mbrojtja kishte paraqitur informacione nga NATO, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara, të cilat, sipas tij, dëshmonin se nuk kishte një strukturë efektive komandimi dhe kontrolli brenda UÇK-së.
“Ky ishte një vendim i pandershëm. Është një situatë që është larg nga e vërteta, rishkruan historinë dhe përveç kësaj, e fshinë historinë”, tha Prosperi në Klan Kosova.
Sipas tij, gjyqtarët kanë injoruar dëshmitarët e mbrojtjes, kundërpyetjet dhe prova që ai i cilësoi si kredibile.
“Ne kishim informacion kredibil, të besueshëm nga i gjithë aparati i inteligjencës i NATO-s, shteteve anëtare të NATO-s dhe vendeve të tjera që e bënë të qartë se nuk kishte organizim dhe kontroll, s’kishte komandë dhe kontroll të UÇK-së”, tha ai.
Prosper përmendi edhe një letër të Departamentit amerikan të Shtetit të vitit 1999, të dërguar në Senat, për të cilën tha se theksonte mungesën e komandës efektive dhe kontrollit të UÇK-së.
Avokati tha se dyshimet e tij për përfshirje politike në proces mbeten.
“Po, përgjigjja është po”, tha Prosperi, duke shtuar se motivin për një vendim të tillë, sipas tij, e dinë vetëm tre gjyqtarët që e morën atë.
Ai tha gjithashtu se vendimi dukej “i shkruar paraprakisht” dhe se gjatë procesit mbrojtjes i ishin vendosur pengesa në përpjekjet për të paraqitur atë që e konsideronte të vërtetën.
Prosper përmendi edhe statistikat e ankesave të mbrojtjes, duke deklaruar se ekipi i tij kishte paraqitur 44 apele gjatë procesit dhe nuk kishte fituar asnjërin, ndërsa, sipas tij, ankesat e prokurorisë kishin marrë përgjigje pozitive.
Ai foli edhe për përmendjen në aktgjykim të emrave të disa ish-komandantëve të UÇK-së që nuk ishin pjesë e këtij procesi gjyqësor.
“Cili ishte qëllimi i etiketimit të njerëzve që as nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit dhe as nuk patën mundësinë më elementare për të mbrojtur integritetin dhe emrin e tyre?”, tha Prosperi.
Sipas tij, përmendja e tyre ngre pikëpyetje për mundësinë e proceseve të tjera në të ardhmen.
“Gjykata praktikisht i ka shpallur fajtorë pa u dhënë kurrë mundësinë e një seance dëgjimore”, deklaroi ai, duke iu referuar mënyrës se si, sipas tij, janë trajtuar këta persona në arsyetimin e aktgjykimit.
Prosper kritikoi edhe përmendjen e emrit të Beadin Allaqit në aktgjykim, duke thënë se rrethanat lidhur me këtë rast ishin mbajtur më herët konfidenciale dhe se mbrojtja kishte pasur materiale shfajësuese që, sipas tij, nuk ishte lejuar t’i diskutonte publikisht.
Ai e kundërshtoi gjithashtu interpretimin se aktgjykimi lidhet vetëm me katër individët e dënuar.
“Mjafton të dëgjoni arsyetimin e tyre”, tha Prosperi, duke pretenduar se konstatimet e gjykatës për ekzistencën e një Ndërmarrjeje të Përbashkët Kriminale kanë prekur në mënyrë më të gjerë UÇK-në dhe trashëgiminë e luftës së Kosovës.
“Tre burra rishkruan dhe fshinë historinë”, tha ai.
Sa i përket iniciativës së PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Prosper tha se ajo, sipas tij, tregon se Kosova po përpiqet të ushtrojë përgjegjësinë dhe kontrollin e saj institucional.
Ai tha se Kosova mund të vendosë vetë nëse dëshiron ta ndryshojë marrëdhënien me Dhomat e Specializuara, por theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë duhet të vazhdojë.
“Është një çështje e udhëheqjes. A dëshiron Kosova të marrë udhëheqjen, të jetë udhëheqësi i të ardhmes së vet? Apo Kosova dëshiron ta delegojë këtë përgjegjësi komunitetit ndërkombëtar?”, tha Prosperi.
Ai tha se mbrojtja e Thaçit ka paraqitur, sipas tij, “mbrojtjen më të mirë në historinë e gjykatave”, duke përmendur dëshmitarë dhe figura të larta ndërkombëtare.
Në lidhje me faktin se Thaçi u shpall i pafajshëm për gjashtë pikat që lidhen me krimet kundër njerëzimit, Prosperi tha se kjo ishte e rëndësishme, por shtoi se gjykata kishte pranuar akuzat për krime lufte.
Avokati kritikoi edhe vonesën në publikimin e aktgjykimit të plotë, duke thënë se procesi duhet të jetë transparent dhe i qasshëm për publikun.
“Drejtësia duhet të ndahet në sytë e publikut”, tha ai.
Në fund, Prosperi konfirmoi se synon të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit mbrojtës të Thaçit në procedurën e apelit.
“Do të jem aty derisa Hashim Thaçi të ketë mundësinë e plotë ta pastrojë emrin e tij”, tha ai.
Sa i përket kohëzgjatjes së procesit të apelit, Prosper tha se shpreson që ai të përfundojë brenda një periudhe prej 12 muajsh.