Maliqi për aktgjykimin e Hagës: Ka rikthyer polarizimin tonë të brendshëm

Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndikimi i tij në skenën politike vendore kanë nxitur reagime dhe diskutime të shumta.

Opinionisti Agon Maliqi e ka cilësuar aktgjykimin si një nga ngjarjet më traumatike në historinë politike bashkëkohore të Kosovës. Sipas tij, mënyra se si Gjykata ka interpretuar strukturën komanduese të UÇK-së dhe ka trajtuar luftën brenda shqiptarëve ka rikthyer polarizimin në shoqërinë kosovare dhe ka shkaktuar indinjatë të madhe.

“Është një prej ngjarjeve ndoshta më traumatike politike në historinë tonë politike bashkëkohore. Fakti që kanë rënë akuzat për krime kundër njerëzimit ka qenë pozitiv. Mirëpo, në njëfarë forme, Gjykata e ka rihapur dhe e ka gjykuar luftën brenda shqiptare, duke e rikthyer edhe atë polarizimin tonë të brendshëm”, ka thënë Maliqi.

Ai ka deklaruar se indinjata lidhet edhe me mënyrën se si është përcaktuar përgjegjësia për viktimat e identifikuara.

“Absolutisht ka identifikuar viktima, mirëpo nuk e ka atribuuar saktë përgjegjësinë. Mendoj që këtu duhet të jetë fokusi kryesor te mënyra se si e ka interpretuar dhe kriminalizuar aspektin organizativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si e ka bërë ndërlidhjen mes atyre viktimave të identifikuara dhe atyre që janë dënuar”, ka thënë ai.

Sipas Maliqit, Qeveria po përpiqet ta amortizojë reagimin publik ndaj aktgjykimit dhe po e trajton atë si një betejë politike të opozitës.

Duke folur për rrugëdaljen nga kjo situatë, ai ka vlerësuar se i gjithë spektri politik në Kosovë, duke përfshirë LDK-në dhe partitë e tjera, duhet të bashkohet rreth çështjes nëse është vendosur drejtësi dhe nëse procesi gjyqësor ka qenë i rregullt nga pikëpamja ligjore. /Klan Kosova