“Thellësisht i padrejtë”, Balla rishpreh qëndrimin e Kuvendit të Shqipërisë për vendimin në Hagë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, gjatë një diskutimi ka rishprehur qëndrimin e Kuvendit të Shqipërisë lidhur me vendimin e Gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Balla tha se Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë për vendimin, të cilin e konsideron të padrejtë.

“Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me atë vendim, që konsideron thellësisht të padrejtë ndaj katër udhëheqësve të UÇK-së. Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet”, deklaroi Balla.

Sipas tij, lufta e Ushtrisë Çlirimtaret të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e vendit.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës, përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet, të gjitha kombësitë që jetojnë në Kosovë”, u shpreh ai.

“Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit”, tha Balla.