Avokati Osaj: Ka hapësirë për ndryshimin e Ligjit për Specialen, janë shkelur standardet ligjore

Avokati Kadri Osaj ka thënë se iniciativa e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të shqyrtohet nga këndvështrime të ndryshme, duke marrë parasysh situatën aktuale dhe mënyrën e procedimit të rasteve në këtë gjykatë.

Sipas Osajt, çdo ligj ka zbrazëtira dhe ato duhet të përmirësohen, ndërsa ka vlerësuar se draft-projekti i propozuar ngre edhe çështje ligjore e kushtetuese.

“Çdo ligj ka zbrazëtira të veta dhe çdo zbrazëtirë duhet përmirësuar. Një gjë duhet ta kemi të qartë, që ky draft-projekt cenon amendamentin kushtetues. Sinqerisht, kemi një problem ligjor dhe kushtetues dhe kemi problem me partnerët ndërkombëtarë. Kemi hapësirë me ndryshu këtë ligj”, ka deklaruar Osaj.

Ai ka thënë se gjatë praktikës gjyqësore janë vërejtur, sipas tij, shkelje të standardeve të përcaktuara me ligj, duke theksuar nevojën për një kontroll sistematik të personave të përfshirë në proceset e Dhomave të Specializuara.

“Është mirë me cek se me ligj është paraparë që standardet e inkorporuara në sistemin tonë të drejtësisë nuk duhet të cenohen, mirëpo gjatë praktikave gjyqësore kemi parë që janë cenuar. Kemi nevojë për kontroll sistematik të personave të kyçur në këtë gjykatë”, ka thënë ai.

Osaj ka ngritur edhe çështjen e kushteve ligjore që duhet t’i plotësojnë gjyqtarët, duke pretenduar se disa prej tyre nuk i plotësojnë kushtet për të ushtruar detyrën për shkak të moshës së pensionimit.

“Për faktin se disa gjyqtarë nuk i plotësojnë kushtet ligjore sipas dispozitave ligjore me qenë gjyqtarë, pasi kanë arritur moshën e pensionimit. Meqenëse ka zbrazëtirë juridike, atëherë në rastin konkret duhet me ba përpjekje për ndryshim”, është shprehur Osaj.

Ai ka folur edhe për sistemin e kontrollit ndërkombëtar dhe vendor, duke thënë se në këtë proces duhet të ketë edhe përfshirje vendore.

“Edhe sistemi i kontrollit ndërkombëtar edhe vendor duhet të rishikohet. Ai ndërkombëtar duhet me pas prezencën e vendorëve, sepse janë shkelë standardet”, ka deklaruar Osaj.

Sipas tij, janë cenuar edhe të drejtat e të akuzuarve gjatë marrjes në pyetje.

“Janë thy standardet ligjore gjatë marrjes në pyetje. Është kusht që te veprat që kanë mbi 10 vjet dënim duhet me qenë prezent avokati. Kjo e drejtë është shkelë”, ka thënë ai.

Osaj ka theksuar se, sipas tij, llogaridhënia duhet të jetë pjesë e një mekanizmi efektiv të kontrollit mbi funksionimin e kësaj gjykate.