Tahiri pas takimit me Thaçin në Hagë: Ishte i qetë dhe i sigurt se Apeli do ta korrigjojë padrejtësinë

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se është takuar me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë, pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se ky udhëtim drejt Hagës ishte më ndryshe nga vizitat e shumta që ka realizuar gjatë gjashtë viteve të fundit.

“Ky është një tjetër rrugëtim drejt Hagës, pas kaq shumë udhëtimesh gjatë këtyre gjashtë viteve. Por kësaj here ishte ndryshe. U mërzita shumë kur e takova Presidentin pas vendimit të padrejtë”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka treguar se Thaçi, pavarësisht vendimit, ishte i qetë, i fortë dhe me besim se Apeli do ta korrigjojë atë që Tahiri e cilëson si padrejtësi.

“E megjithatë, ai ishte i qetë, i fortë dhe i sigurt. Me besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se Apeli do ta korrigjojë këtë padrejtësi”, ka shkruar ai.

Tahiri ka përcjellë edhe një mesazh të Thaçit për qytetarët që po protestojnë në Prishtinë.

“Ai ju dërgon të fala nga zemra, secilit prej jush që jeni në sheshin e Prishtinës dhe që u bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë”, ka shkruar Tahiri.

Në fund, ai ka falënderuar qytetarët për qëndresën dhe solidaritetin e treguar.

“Faleminderit për qëndresën, për solidaritetin dhe për zërin tuaj që nuk u shua. Drejtësi për çlirimtarët!”, ka përfunduar Tahiri.