Gjykata Kushtetuese për lëndën e PDK-së: Është duke u shqyrtuar

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar për Ekonomia Online se është duke e shqyrtuar lëndën e referuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila lidhet me kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe zhvillimet institucionale pas këtij procesi.

Në përgjigje për Ekonomia Online, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se lënda është duke u trajtuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së këtij institucioni.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese për Ekonomia Online.

PDK-ja më 14 shtator kishte dërguar në Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit, duke ngritur çështje lidhur me mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe zhvillimet e tjera në procesin e konstituimit.

Ndërkohë, një ditë më pas, PDK-ja kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese edhe kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e Qeverisë së re, duke argumentuar se procesi i konstituimit të Kuvendit kishte dilema kushtetuese.