Drita triumfon në Klinë, Drenica shkund Llapin

Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të xhiros së shtatë në elitën e futbollit kosovar.

Drita ka marrë fitore të rëndësishme në udhëtim, duke mposhtur Dukagjinin me rezultat 2-1 në stadiumin “13 Qershori” në Klinë.

Skuadra gjilanase e kontrolloi më mirë pjesën e parë dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 34-t.

Liridon Balaj asistoi për Blerim Krasniqin, i cili u tregua i qetë në përballjen me portierin dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Dukagjini u përpoq të reagonte para pushimit, por Drita u mbrojt mirë dhe e ruajti avantazhin deri në fundin e pjesës së parë.

Vendasit patën vështirësi edhe në fillimin e fraksionit të dytë, pasi Drita e gjeti shpejt golin e dytë.

Pas një rrëmuje në zonën e Dukagjinit, Besnik Krasniqi përfitoi dhe nga afërsia realizoi për 2-0.

Megjithatë, klinasit nuk u dorëzuan dhe arritën ta ngushtojnë rezultatin. Dienit Isufi shënoi për 2-1, duke rikthyer emocionet në minutat e fundit.

Dukagjini e kërkoi me ngulm golin e barazimit dhe në kohën shtesë ishte shumë pranë tij. Goditja e vendasve u ndal nga shtylla, duke i mohuar skuadrës së Klinës një pikë të mundshme.

Drita rezistoi deri në fund dhe nga “13 Qershori” u largua me tri pikë të plota.

Pas kësaj fitoreje, Drita shkon në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Dukagjini mbetet me 12 pikë.

Ndërkohë, fitore të mëdha ka arritur edhe Drenica e cila mundi bindshëm Llapin, me rezultat 4-0 në stadiumin “Bajram Aliu”.

Kjo ishte një mbrëmje e veçantë për futbollin në Skenderaj, pasi për herë të parë një ndeshje në stadiumin “Bajram Aliu” u zhvillua nën ndriçimin e reflektorëve. Përballja u përcoll edhe nga një numër i madh tifozësh, të cilët krijuan atmosferë të veçantë në tribuna.

Drenica e nisi furishëm takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 14-të. Gjergji Kote shënoi për 1-0, duke i dhënë vendasve avantazhin e parë.

Skuadra nga Skenderaj vazhdoi të kontrollonte lojën dhe në fundin e pjesës së parë e thelloi epërsinë. Adrian Durmishaj realizoi në minutën e 41-të për 2-0, ndërsa vetëm tri minuta më vonë Kote shënoi sërish, duke kompletuar dopietën e tij dhe duke e çuar rezultatin në 3-0.

Me këtë epërsi, Drenica shkoi në pushim me një avantazh të madh dhe në pjesën e dytë e menaxhoi me qetësi ndeshjen.

Llapi u përpoq të reagonte, por nuk arriti të gjente rrugën drejt golit, ndërsa vendasit vazhduan të ishin më të rrezikshëm.

Golin e katërt dhe të fundit të takimit e realizoi Agim Zeka në minutën e 70-të, duke vulosur triumfin e thellë të Drenicës.

Me këtë fitore, Drenica shkon në kuotën e 9 pikëve pas shtatë xhirove, ndërsa Llapi mbetet me vetëm 3 pikë.