Haradinaj-Stublla numëron “tri gabimet kardinale” të Kosovës: Asociacioni, Specialja dhe Kisha Ortodokse

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, ka deklaruar se Kosova ka bërë, sipas saj, “tri gabime kardinale” të cilat mund të kenë pasoja edhe në të ardhmen.

Në një reagim publik, Haradinaj-Stublla ka renditur si çështjen e parë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke iu referuar marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015.

Si pikë të dytë ajo ka përmendur krijimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015, ndërsa si të tretën ka renditur çështjen që ajo e ka përshkruar si “Kisha Ortodokse (2023)”.

“TRI GABIME KARDINALE që do të na kushtojnë në të ardhmen nëse nuk punojmë me urgjencë e me unitet të plotë kombëtar e strategjik: 1. Asociacioni monoetnik (2013/2015); 2. Gjykata Speciale (2015); 3. Kisha Ortodokse (2023)”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ajo ka bërë thirrje për unitet politik dhe strategjik, duke argumentuar se këto çështje, sipas vlerësimit të saj, ende mund të adresohen.

“Historia dhe fëmijët tanë do na kërkojnë llogari nëse do ua lëmë atyre barrën e gabimeve që sot ende mund t’i korrigjojmë nëse bëhemi BASHKË!”, ka shkruar ish-ministrja.