Idriz Rrecaj një nga viktimat e identifikuara në varrezë masive në veri, djali i tij jep lajmin

Pas 27 vitesh pritjeje dhe pasigurie, familja e Idriz Rrecajt ka marrë lajmin se identifikimi i tij është konfirmuar zyrtarisht nga laboratori i ADN-së në Hagë.

Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Shpëtim Rrecaj, i cili ka thënë se pas shumë vitesh ka marrë përgjigjen për fatin e prindit të tij.

“Pas 27 vitesh pritje, dhimbje dhe pasigurie, morëm lajmin nga institucionet tona që nga laboratori i ADN-së në Hagë është konfirmuar zyrtarisht identifikimi i prindit tim, Idriz Rrecaj”, ka shkruar Shpëtim Rrecaj.

Ai ka theksuar se pyetjes së familjes “Ku është Idriz Rrecaj?” tashmë i ka ardhur fundi, pas një pritjeje të gjatë për të zbardhur fatin e tij.

Shpëtim Rrecaj ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“GJAKU NUK HUMB KURRË!”, ka shkruar ai.