I kërkuar nga Gjermania për narkotikë, 34 vjeçari nga Ferizaj kapet në Shqipëri

Një 34-vjeçar nga Ferizaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, teksa po hynte në territorin e Shqipërisë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, ndaloi shtetasin kosovar me inicialet Y. A.

"Gjatë verifikimeve me Interpol Tiranën, rezultoi se ndaj tij Gjykata e Wiesbadenit në Gjermani kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike", thuhet në njoftim."Pas konfirmimit të kërkesës ndërkombëtare për arrestimin e tij, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka nisur procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit drejt Gjermanisë", përfundon njoftimi.