Superliga vazhdon sot me dy superduele

Superliga e Kosovës sjell sonte dy përballje interesante, duele që do të zhvillohen në kuadër të xhiros së radhës.

Në Klinë, Dukagjini do të përballet me kampionen në fuqi, Dritën, në një sfidë ku të dyja skuadrat kanë objektiva të qarta.

“Intelektualët” do të kërkojnë t’i japin fund rezultateve jo të mira dhe të rikthehen te fitorja, ndërsa Dukagjini synon ta vazhdojë serinë pozitive. Klubi klinas ka regjistruar pesë ndeshje radhazi pa humbje dhe do të kërkojë të ruajë këtë ecuri edhe ndaj kampiones.

Në përballjen tjetër, Drenica do ta presë Llapin. Të dyja skuadrat ndodhen në pjesën e poshtme të tabelës dhe pikët nga kjo sfidë janë të rëndësishme në luftën për t’u shkëputur nga zona e fundit.

Të dyja ndeshjet nisin në ora 19:00.