Kapiteni i Policisë së Kosovës diplomon në Akademinë e FBI-së
Kapiteni i Policisë së Kosovës, Visar Shala, ka përfunduar me sukses Sesionin e 299-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së (FBI National Academy), në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ceremonia e diplomimit u mbajt më 17 shtator në Quantico, Virxhinia, ku morën pjesë zyrtarë të zbatimit të ligjit nga SHBA-ja dhe vende të ndryshme të botës, transmeton IndeksOnline.
Sipas njoftimit të Ambasadës së Kosovës në SHBA, në Sesionin e 299-të morën pjesë gjithsej 265 zyrtarë të zbatimit të ligjit nga Shtetet e Bashkuara dhe 29 vende të tjera.
Ambasada e Kosovës e ka përgëzuar kapitenin Shala për këtë arritje profesionale, duke theksuar se diplomimi i tij dëshmon përkushtimin e Policisë së Kosovës në zhvillimin profesional të kuadrove dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit.