Arrestohet 32-vjeçari, dyshohet se kërcënoi Donika Gërvallën
Policia e Kosovës ka arrestuar një 32-vjeçar, i dyshuar për kërcënim ndaj ministres Donika Gërvalla dhe një personi tjetër.
Sipas Policisë, i dyshuari dyshohet se përmes një postimi në Facebook ka publikuar përmbajtje kërcënuese ndaj dy personave. Në postim, ai u është referuar atyre me shprehje që lidhen me “plumbin” dhe vendin “ku me rrok”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se përmes rrjeteve sociale ka kanosur viktimën femër kosovare dhe viktimën mashkull kosovar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente.