Veliaj thyen këmbën duke luajtur futboll në burg, shkon në spital për kurim
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka pësuar një frakturë në këmbe teksa luante futboll gjatë orarit të ajrimit në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth dy javë më parë, çka ka kërkuar transportimin e tij drejt një spitali privat në kryeqytet për ekzaminime radiologjike dhe vendosjen e gjymtyrës në allçi.
Veliaj qëndron në izolim që prej muajit shkurt të vitit 2025, periudhë gjatë së cilës ka nisur edhe procesi gjyqësor ndaj tij. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngre ndaj tij një sërë akuzash që përfshijnë korrupsionin, pastrimin e produkteve të veprës penale, fshehjen e pasurisë, shpërdorimin e detyrës, si dhe futjen e sendeve të ndaluara në ambientet e vuajtjes së dënimit. Drejtuesi i bashkisë i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e organit të akuzës.
Së fundmi, më 15 shtator, Gjykata e Lartë vendosi të mbajë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”, pas kthimit të dosjes nga Gjykata Kushtetuese në maj.
Ekipi mbrojtës i Veliajt e ka cilësuar këtë vendimmarrje si të papranueshme dhe përgatitet t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Ndërkohë, trupi gjykues ka detyrimin që brenda dy muajve të arsyetojë refuzimin e një mase më të lehtë sigurie për administratorin e kryeqytetit.
Pavarësisht qëndrimit në qeli, Veliaj vazhdon të drejtojë bashkinë më të madhe në vend përmes firmosjes së akteve administrative, pas largimit nga detyra të zv.kryetares së komanduar, Anuela Ristani. /Tv Klan