Demaku i ashpër me Kurtin: Nuk i kaloi inatet e brendshme politike, dështoi ta mbronte UÇK-në

Ish-luftëtari i UÇK-së, Fadil Demaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar se Qeveria e Kosovës ka dështuar në mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe se nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme lidhur me proceset në Hagë.

Demaku tha se pas vendimit të Dhomave të Specializuara është shkaktuar, sipas tij, dëm i madh për Kosovën.

Ai pretendoi se institucionet kanë qëndruar në nivelin e “inateve dhe egos së luftës së brendshme politike”, në vend që të marrin përgjegjësi dhe të ndërmarrin hapa konkretë.“Ne jemi në një situatë që s'ka të bëjë fare me drejtësinë, është bërë një veprim i cili është i dëmshëm për vendin dhe këtë duhet ta pranojë në radhë të parë Albin Kurti që i është bërë një dëm shumë i madh vendit, jo në kuptimin që ta kaloj; situatën me një deklaratë formale që shkruan dikush atje. Unë po e shoh që veprimet e Albin Kurtit janë duke shkuar në linjën e njëjtë të asaj që për gjashtë vite në qeverisje të tij mos të flasim më për fushat e tjera, mbasi jemi të fokusuar te një temë e caktuar, qeveria e Kosovës ka qenë krejtësisht e dështuar sa i përket kësaj çështje, sa i përket mbrojtjes së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Demaku.

Ai pati kritika edhe për ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, duke iu referuar deklarimeve të saj të mëhershme ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Sipas tij, në rrethana normale, ajo nuk do të duhej të ishte emëruar në një pozitë të tillë dhe tash, pas zhvillimeve të fundit, do të duhej të largohej nga detyra./klankosova