Ambasada e SHBA-së paralajmëron sërish: Protestat mund të përshkallëzohen pa paralajmërim

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka publikuar një sinjalizim të ri për sigurinë, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për demonstratat që po zhvillohen në Prishtinë.

Sipas njoftimit, pjesëmarrësit janë duke u grumbulluar në sheshin “Skënderbeu” dhe në lokacione të tjera në qendër të kryeqytetit.

Ambasada paralajmëron se demonstrata të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim dhe potencialisht në qytete të tjera të Kosovës.

“Grumbullimet e mëdha mund të përshkallëzohen shpejt pa paralajmërim dhe mund të shkaktojnë mbyllje të rrugëve, kthim dhe ndërprerje të konsiderueshme të trafikut”, thuhet në njoftim.

Ambasada u kërkon qytetarëve amerikanë të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat dhe grumbullimet e mëdha, të qëndrojnë në gatishmëri dhe të jenë të vetëdijshëm për situatën përreth tyre.

Po ashtu, rekomandohet që të monitorohen mediat lokale dhe njoftimet e Ambasadës për përditësime të mëtejshme./Zëri