Podujeva apelon për kujdes ndaj Virusit të Nilit Perëndimor
Komuna e Podujevës ka njoftuar qytetarët për nevojën e shtimit të masave parandaluese ndaj Virusit të Nilit Perëndimor (WNV), pas paraqitjes së rasteve të reja në Rajonin e Prishtinës.
Sipas njoftimit të Komunës, virusi transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, ndërsa rreziku mund të jetë më i madh në zonat ku ka ujëra të ndenjura dhe prani të shtuar të mushkonjave.
Qytetarëve u rekomandohet të eliminojnë ujin e grumbulluar në oborre dhe përreth banesave, të mbajnë të mbuluar rezervuarët e ujit dhe të pastrojnë rregullisht enët, gomat dhe hapësirat e tjera ku mund të grumbullohet ujë.
Për mbrojtje nga pickimet e mushkonjave, komuna rekomandon përdorimin e repelentëve, veshjen e rrobave me mëngë të gjata dhe pantallonave, si dhe vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer.
Në kuadër të masave parandaluese, institucionet përgjegjëse komunale do të angazhohen në identifikimin dhe trajtimin e zonave me rrezik, eliminimin e vendeve të mundshme të shumimit të mushkonjave, kontrollin e vektorëve dhe dezinsektimin, aty ku vlerësohet e nevojshme.
Komuna ka këshilluar qytetarët që në rast të temperaturës së shoqëruar me shenja neurologjike, si konfuzion, dobësi muskulore, çrregullime të vetëdijes ose simptoma të tjera të rënda, të kërkojnë kujdes mjekësor.
“Komuna e Podujevës apelon te qytetarët që t'u përmbahen rekomandimeve parandaluese dhe të kontribuojnë në eliminimin e vendeve ku mund të shumohen mushkonjat”, thuhet në njoftim.