Kapen mallra të padeklaruara në bagazhin e autobusit në Vërmicë, vlera mbi katër mijë euro

Dogana e Kosovës ka parandaluar një rast të tentim-kontrabandimit të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas njoftimit të Doganës, thuhet se gjatë kontrollit rutinor të një autobusi, zyrtarët doganorë kanë zbuluar në bagazhin e autobusit një aparat të ri dhe të papërdorur për kafe, si dhe mallra të tjera të shoqëruara me faturë, të cilat nuk ishin deklaruar tek autoritetet doganore.

Vlera e përgjithshme e mallrave të gjetura në bagazh vlerësohet rreth 4 mijë 100 euro.

"Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e parapara sipas legjislacionit doganor dhe ka iniciuar procedurat përkatëse ndaj rastit. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, duke garantuar njëkohësisht konkurrencë të drejtë dhe zbatim të barabartë të ligjit në të gjitha pikat kufitare", thuhet në njoftimin e Doganës.