Musliu kërkon dorëheqjen e Qunit: The se do ta lësh politikën kur Thaçi e Veseli të jenë në burg
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i ka bërë thirrje Anton Qunit, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të largohet nga politika, duke iu referuar një deklarate të tij të mëhershme për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Musliu foli gjatë protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila u mbajt pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ajo rikujtoi deklaratën e Qunit, për të cilin tha se kishte premtuar se do ta braktiste politikën nëse Thaçi dhe Veseli do të përfundonin në burg.
Duke iu referuar kësaj deklarate, Musliu kërkoi nga Quni që të veprojë në përputhje me atë që kishte deklaruar më parë.
“Deputeti Anton Quni të tërhiqet nga politika, sepse nëse ju kujtohet pat thënë se kur të jenë në burg Hashim Thaçi e Kadri Veseli, unë do ta lë politikën. Prandaj, Anton, nëse je veç pak i përgjegjshëm ndaj asaj që ke thënë, jep dorëheqje nga politika”, deklaroi Musliu.