KRU “Gjakova” nis aksionin e shkyçjes së borxhlinjve, disa konsumatorë me mijëra euro borxh

KRU “Gjakova” SHA ka nisur aksionin për shkyçjen e konsumatorëve, të cilët nuk i kanë përmbushur obligimet financiare ndaj kompanisë.

Ekipet e shkyçjes dhe kontrollit kanë dalë në terren në të tri rajonet që mbulohen nga kompania, përkatësisht në Gjakovë, Rahovec dhe Prizren.

Sipas KRU “Gjakova”, pas paralajmërimeve të bëra ditë më parë, ekipet kanë filluar shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të konsumatorëve me borxhe, si dhe vendosjen e bllokadave.

Gjatë aksionit janë shkyçur konsumatorë me borxhe në vlera të ndryshme. Ndër rastet e evidentuara janë borxhe prej 10.600 eurosh, 6.000 eurosh, 4.500 eurosh dhe 2.300 eurosh.

Kompania ka njoftuar se aksioni do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.