Vendimi i Speciales, Tahiri: Padrejtësi historike, Kuvendi duhet të ketë qëndrim të përbashkët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, reagoi pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj aktgjykimit dhe duke paralajmëruar vazhdimin e reagimeve edhe përmes institucioneve.

Tahiri e përshkroi vendimin si një goditje të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët. Sipas tij, reagimi qytetar ndaj këtij zhvillimi është i ligjshëm, ndërsa kundërshtimi ndaj vendimit, sipas tij, do të vijojë.

“Kjo është padrejtësi historike që i ka ndodhur shtetit të Kosovës, që i ka ndodhur kombit shqiptar, andaj me plot të drejtë jemi duke shprehur revoltën, dhe jemi duke reflektuar mllefin, dëshpërimin dhe zhgënjimin, dhe assesi nuk do ta pranojmë”, u shpreh Tahiri.

Deputeti i PDK-së e ka cilësuar aktvendimin si të papranueshëm dhe ka bërë të ditur se partia e tij do të vazhdojë të kundërshtojë atë, si në nivel qytetar, ashtu edhe përmes veprimeve institucionale. Në deklaratën e tij, Tahiri është fokusuar edhe te nevoja për një qëndrim të përbashkët të subjekteve politike. Ai ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të shfaqë unitet lidhur me këtë çështje dhe që partitë politike të veprojnë së bashku.

“Ka qenë vendim skandaloz, i turpshëm. Hapat e ardhshëm, ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë me qytetarët e Kosovës, por edhe në mënyrë institucionale kemi përgjegjësi. Ftoj që me pasë unifikim, me qenë të bashkuar. Mendoj se kurrë më shumë arsye në kuptim kombëtar se sot, nuk kemi pasur. Po ashtu pres që forcat politike në Kuvendin e Kosovës kanë me qenë të bashkuara, të jemi të bashkuar të kundërshtojmë këtë padrejtësi”, deklaroi Tahiri.

Në fund, deputeti i PDK-së shprehu optimizmin e tij për të ardhmen, duke thënë se zhvillimet e fundit nuk do ta ndryshojnë bindjen e tij se qytetarët e Kosovës do të dalin fitues. /metro