Dogana e Kosovës dhe Dogana e Holandës me partneritet për modernizim, inovacion dhe administrata doganore të së ardhmes
Në kuadër të përpjekjeve për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit doganor, një delegacion i Doganës së Kosovës zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Doganën e Holandës në aeroportin e Schipholit, me qëllim të avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën doganore.
Përmes, një njoftimi na faqen zyrtare në rrjetin social në Facebook, Dogana ka theksuar se vizita përfaqëson një mundësi të rëndësishme për dialog institucional dhe shkëmbim të njohurive mbi modernizimin e administratave doganore, transformimin digjital, inovacionin teknologjik, automatizimin e proceseve dhe përdorimin e zgjidhjeve moderne për rritjen e efikasitetit dhe sigurisë së zinxhirit të furnizimit.
Përvoja e Doganës së Holandës dhe qasja e saj ndaj teknologjisë dhe inovacionit përbëjnë një vlerë të rëndësishme për shkëmbimin profesional dhe për avancimin e mëtejshëm të proceseve të modernizimit të Doganës së Kosovës. Shkëmbime të tilla krijojnë mundësi konkrete për të mësuar nga praktikat e konsoliduara, për të identifikuar zgjidhje të reja dhe për të ndërtuar kapacitete të qëndrueshme institucionale.
Dogana e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të veçantë për Doganën e Holandës për mikpritjen e jashtëzakonshme, përgatitjen profesionale, organizimin e shkëlqyer dhe gatishmërinë për një dialog të hapur dhe një shkëmbim të vlefshëm të përvojave dhe ekspertizës.
Ne e vlerësojmë thellësisht partneritetin me Doganën e Holandës dhe besojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë të zhvillohet përmes dialogut të qëndrueshëm, shkëmbimit të ekspertizës, inovacionit, teknologjisë dhe angazhimit praktik, duke kontribuar në ndërtimin e administratave doganore më moderne, më efikase dhe më të ndërlidhura.
Partneriteti, shkëmbimi i njohurive dhe inovacioni janë çelësi për Doganat e së ardhme.