Ç’mund të ndodhë me shtatë figurat e UÇK-së që u përmendën në aktgjykimin e 16 shtatorit?

Shtatë persona u përmendën si pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” në aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, çfarë nënkupton kjo për shtatëshen, dhe a mund të përballen ata me pasoja juridike?

Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Shukri Buja dhe Sabit Geci nuk ishin të pandehur, por emrat e tyre u përmendën në aktgjykimin e 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë shpalljes së verdiktit dënues për krime lufte ndaj katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), trupi gjykues i asaj që njihet edhe si Gjykata Speciale konstatoi se shtatë figurat tjera ishin anëtarë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Madje, u tha se Limaj, Geci, Mustafa dhe Gashi “ishin zbatues të zellshëm të qëllimit kriminal që kishte në shënjestër kundërshtarët”.

Si e përshkroi Specialja “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”?

Trupi gjykues e mbështeti ekzistencën e “qëllimit të përbashkët kriminal” në faktorë si: vrasjet e shqiptarëve të dyshuar si kolaboracionistë dhe të serbëve, komunikatat politike, luftën speciale, qendrat e ndalimit dhe tolerancën, pranimin dhe inkurajimin e krimeve ndaj kundërshtarëve.

Sipas gjyqtarëve, katër ish-udhëheqësit e UÇK-së i kishin caktuar vetes dhe të tjerëve role e pozita, përmes të cilave “kontrolluan zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal”.

“Kriminalizim retrospektiv” i udhëheqjes së UÇK-së

Ish-prokurori i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), Geoffrey Nice, e quan “të paprecedentë” mënyrën se si Brahimaj, Limaj, Sylejman Selimi, Mustafa, Gashi, Buja dhe Geci u emërtuan në aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL), ai tregon se në aktgjykime të tilla mund të thuhet se dikush ka “vepruar në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me persona të panjohur”.

Ndërkaq, avokati i licencuar në Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, thotë për REL-in se trupi gjykues kishte nevojë për “anëtarë” të tjerë si pjesë e këtij “qëllimi të përbashkët”, për t’i lidhur katër të dënuarit me krimet e kryera nga persona të tjerë.

Me këtë konstatim, sipas Nevenka Trompit, hulumtuese e TPNJ-së që ka ndjekur nga afër edhe procesin në rastin “Thaçi dhe të tjerët”, Gjykata Speciale e cilësoi gjithë Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së si pjesëmarrës në “ndërmarrje kriminale”.

“Është një kriminalizim retrospektiv i strukturës qendrore komanduese të UÇK-së si tërësi, në një shkallë që aktgjykimet e vetë TPNJ-së nuk e vërtetuan kurrë”, thotë Tromp për REL-in.

A mund të nisë Prokuroria hetime ndaj shtatëshes?

Në një përmbledhje të aktgjykimit të 16 shtatorit thuhet se shtatë figurat e UÇK-së ranë dakord “për qëllimin e përbashkët kriminal”, por theksohet se atyre nuk u është konstatuar fajësia dhe se gëzojnë prezumimin e pafajësisë.

Edhe avokati Qerkini pohon se fakti që ata përmenden në aktgjykim nuk përbën kallëzim penal për ta.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka pasur këta emra në aktakuzën e vet që nga viti 2020, dhe për gjashtë vjet nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tyre”, thotë ai.

Pikëpyetjen nëse shtatë të përmendurit mund të përballen me pasoja juridike, Qerkini thotë se “e mbyll përfundimisht” rasti i Sylejman Selimit, ngase Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte ndërprerë hetimet ndaj tij në shkurt të vitit 2025.

Sipas tij, edhe emrat e tjerë kanë kaluar nëpër procese gjyqësore, dhe këtu thotë se vlen parimi i njohur i të drejtës penale “jo dy herë gjykim për të njëjtën çështje”.

Javë më parë, nga Prokuroria Speciale i thanë REL-it se nuk pranojnë të komentojnë mbi “ekzistencën ose hollësitë e ndonjë hetimi”.

Sipas tyre, mandati i kësaj prokurorie vazhdon “derisa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe procedurat përkatëse kanë përfunduar”.

Shukri Buja, i përmendur nga trupi gjykues më 16 shtator, nuk beson se mund të ndiqet, pasi prokurorët e Speciales në vitin 2024 mbyllën hetimet që i kishin nisur ndaj tij pesë vjet më herët.

“Jam rasti i parë që i kanë mbyllur hetimet, dhe në njëfarë forme e kanë shpallur luftën time të drejtë dhe të panjollosur”, shprehet Buja për REL-in.

Ai thotë se nuk e njollos as emërtimi “anëtar i ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ndryshe nga aktgjykimi që, sipas tij, “padrejtësisht” njollosi katër ish-krerët e UÇK-së.

Nëpër çfarë procese kaluan shtatë figurat e UÇK-së?

Disa nga shtatë figurat e përmendura në aktgjykim janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Më herët, ata kanë pasur përvoja të ndryshme me drejtësinë për çështje që lidhen me krimet e luftës.

Lahi Brahimaj dhe Fatmir Limaj u gjykuan nga TPNJ-ja, por të dy përfundimisht u shpallën të pafajshëm. Limaj u shpall gjithashtu i pafajshëm në rastet “Kleçka” dhe “Bellanica” në Kosovë.

Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa dhe Latif Gashi u dënuan nga gjykatat në Kosovë për krime lufte, ndërsa Selimi më vonë u shpall i pafajshëm në rigjykimin e njërit prej rasteve.

Sabit Geci u dënua në Kosovë për krime lufte ndaj civilëve, ndërsa Buja nuk ka kaluar nëpër ndonjë proces gjyqësor për krime lufte.

Sipas ish-prokurorit Nice, duhet pritur aktgjykimin e plotë për të parë nëse do të ketë një arsyetim pse u përmendën shtatë emrat në rastin ndaj katërshes së UÇK-së. /REL