Buja për verdiktin e Speciales: Nuk ka bazë dënimi, kemi të bëjmë me një Gjykatë politike dhe të njëanshme
Ish-komandanti i UÇK-së, Shukri Buja, ka folur lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai, lidhur me dënimin e tyre, ka thënë se nuk ka bazë dënimi, kemi të bëjmë me një Gjykatë politike dhe të njëanshme.
“Nuk ka bazë dënimi, kemi të bëjmë me një Gjykatë politike dhe të njëanshme. Dënimi është edhe befasues, edhe shokues për shumë qytetarë, sepse ky dënim është dhënë në emër të qytetarëve të Kosovës. Kjo është më e rënda për ne. Realisht, është një dënim i cili, pavarësisht se e hoqi një pjesë të akuzës që ka të bëjë me krime kundër njerëzimit, i dënoi njerëzit që janë simbole të lirisë së Kosovës, simbole të luftës çlirimtare dhe shtetndërtimit, dhe të pavarësisë së Kosovës, me dënime drakonike. Dhe kjo ishte tepër e rëndë, diçka që nuk pritej nga qytetarët tanë. ”
Buja tha se shumica e qytetarëve janë përgaditur që të festojnë.
“Shumica janë përgatitur për të festuar lirimin e tyre. Nuk ka bazë dënimi, nuk ka bazë edhe sipas shumë ekspertëve ndërkombëtarë, edhe nga vetë zoti Clark, i cili udhëhoqi bombardimet e NATO-s në Kosovë, edhe zoti Walker, i cili ka qenë në terren tërë kohën me misionin vëzhgues ndërkombëtar, ashtu siç flasin edhe dëshmitarët e tjerë. Realisht, kemi të bëjmë me një gjykatë që unë e kam cilësuar edhe pa u votuar në Kuvendin e Kosovës, dhe nga një gjykatë e tillë politike, e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën.”
Ai u shpreh se edhe gjatë kohës kur u kërkua që të votohej themelimi i Gjykatës, ishte kundër.
“Unë kam qenë kundër në atë kohë. Edhe në takimet brenda partisë, në atë kohë e cila ka qenë në pushtet, kam qenë kundër. Madje, e kam drejtuar me vendim nga kryesia e degës që e kam udhëhequr në Lipjan, edhe e kam cilësuar në atë kohë, bashkë me kryesinë, se është politike dhe është e njëanshme për Kosovën”, deklaroi më tej Buja. /Tëvë1