Poezi imagjinare me nënën, si Jakup Krasniqi i jepte vetes zemër në paraburgim
Një poezi e shkruar në paraburgim, në formën e një bisede imagjinare me nënën, tregon një anë tjetër të Jakup Krasniqit gjatë qëndrimit në Hagë.
Poezia është bërë publike nga vajza e tij e madhe, Gresa Krasniqi, në një intervistë për TCh, ku në vargjet e shkruara me dorë, Krasniqi i drejtohet nënës, i kërkon të mos shqetësohet dhe i rrëfen vështirësitë që po kalon.
Përgjigjen e saj e ndërton vetë, si një mënyrë për t’i dhënë kurajë vetes përballë paraburgimit.
Teksti i poezisë:
Nëna ime!
Kërkoj nga Ti, fare të mos të shqetësohesh
Se shumë furtuna të vështira kam kaluar
Se Ti O NËNË më bëre luftëtar e qëndrestar
Ty të përkulem për atë edukim fisnik
Që nuk me la asnjëherë me u koritë
Para asnjë vështirësie s’u përkula n’jetë
Kjo e “demokracisë” s’ka asgjë të vërtetë
Se ato të tjerat që i kalova në burgje, “e luftë”
Këtë e kapërcej me lehtësi e duke u buzëqeshë
Se ty të pata Nënë, “bujareshë” trime e sokoleshë
Vet më mësove me kulçedra mu ndeshë
Dhe për fitore sublime me ra edhe fli!
Biri jem!
Jeta e çdo njeriu kurdo është një ndeshje
Varet nga edukimi që njeriu merr me vete
Në jetën tende shumë herët u sprovove
Të gjitha vështirësitë me nder i kalove
Sa herë që me armiqtë e egër u përballe
Me zemër Nënë të uroj fitore në k’të përballje
Që të kthehesh sa më parë në Republikën tënde
Për ta mbyllur me krenari veprën që e bëre!
Hagë, maj 2021