Thaçi falënderon qytetarët për mbështetjen e jashtëzakonshme, bën thirrje për qetësi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka çuar një selam popullit pas verdiktit dënues të datës 16 shtator në Hagë.

Udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale, do të vazhdojë betejën gjyqësore, me apelimin e vendimit.

Këtë e ka bërë të ditur kryembrojtësi, Luka Mishetiq, në një deklarim të parë pas aktgjykimit të Speciales, ku e përcolli edhe mirënjohjen e Thaçit dhe thirrjen e tij ndaj qytetarëve të Kosovës për qetësi.

"Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe nga mbështetësit ndërkombëtarë, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të qetë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme." - nis postimi i Mishetiq.

Ai tha se ekipi mbrojtës “do ta apelojnë Aktgjykimin e djeshëm të Trupit Gjykues pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), duke pretenduar se janë bërë gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor”.

“Gjatë gjithë procesit gjyqësor, Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që, sipas saj, nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë”, deklaroi Mishetiq.

Ai tha se mbrojtja mbetet në qëndrimin se “ndërhyrjet gjyqësore e kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë”.

“Sipas Mbrojtjes, kjo mungesë paanshmërie tashmë është reflektuar në Aktgjykimin e Trupit Gjykues”, u shpreh më tej ai.

Mbrojtja deklaron se “gjetjet e Trupit Gjykues për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara”.

“Për më tepër, Trupi Gjykues dje deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos diskutonin publikisht rastin e z. Allaqit gjatë seancave gjyqësore, si dhe kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”.

“Kështu, sipas Mbrojtjes, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht fajtor z. Thaçi për një vrasje, ndërsa në të njëjtën kohë ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, tha Mishetiq në këtë postim.

Ai potencoi se mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues “për shkelje të të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës”.

“Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje”, theksoi Luka Mishetiq.

Avokati i ish-presidentit Thaçi tha se “respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale”.

“Mbrojtja do ta paraqesë zyrtarisht Njoftimin për Apel, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale pranë Panelit të Apelit”, përfundoi avokati mbrojtës i Thaçit. /klankosova