Aktgjykimi në Hagë, Spiropali: Kosova dhe Shqipëria të flasin me një zë
Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, tashmë deputete socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër për aktgjykimin e djeshëm në Gjykatën e Hagës për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Në fjalimin e mbajtur para deputetëve, ajo kërkoi që Kosova dhe Shqipëria të flasin me një zë pas këtij vendimi dhe që të bëhet gjithçka që Apeli të kthejë drejtësinë historike.
“Çfarë duhet të ndodhë? Që Jakup Krasniqi, që ishte zëdhënësi i UÇK-së, të vdesë në burg dhe më pas të kthehet në Kosovë? Po ata që vdesin në burg të dënuar për krime kundër njerëzimit, për krime lufte dhe për gjenocid, priten me nderime”.
“Aktgjykimi i djeshëm nuk thotë që kishte krime kundër njerëzimit, por rrëfimi që u lexua dje aty është tmerrësisht problematik, sepse jo vetëm dënimi i të katërve, i të gjithë atyre që janë dënuar, por një rrëfim i tërë i ngritur nga pretendimet se aty ka pasur një zinxhir komandimi, se aty ka pasur përgjegjësi, se njësoj si Serbia si Kosova, etj. etj., po do të shtrembërojë historinë, pa hyrë në përgjegjësit penale të secilit”.
“Për këtë rrëfim historik të shtrembëruar, ne duhet të jemi të gjithë në një zë. Është kjo retorikë e heronjve, tradhtarëve, e luftërave të brendshme që na ka sjellë këtu. Se ne nuk flasim asnjëherë me të njëjtin zë kur jemi jashtë. Shikoni, ka ndonjë dëshmitar serb në gjyqet e atyre vrasësve e kriminelëve? Asnjë! Dhe ky precedent mund të përdoret edhe në raste të tjera. Imagjinojeni Zelenskyn si Hashim Thaçin, më rëndë akoma, se ka shtet e ushtri. Atëherë, në një moment kur viktima mund të bëhet agresor, e agresori mund të bëhet viktimë, busulla morale nuk ekziston, ndërgjegjja e botës thotë të shohim punët tona. Atëherë, kush do mbajë përgjegjësi për vendet që kanë kërkuar liri, për popujt që janë ngritur për liri, dhe si do ta garantojmë që e drejta ndërkombëtare të mbajë ende peshën që ka. Me vendimin e djeshëm, e drejta ndërkombëtare është cenuar rëndë”.
“Duhet të luftojmë në këtë kuvend, por edhe me mjete financiare, politike, diplomatike për ta luftuar në apel dhe më gjerë për ta vendosur të drejtën tonë historike në vend”, tha ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Ajo ndër të tjera potencoi se Dhomat e Specializuara janë krijuar mbi lajme të rreme.
“Ne padiskutim që mund të flasim për proporcionalitetin dhe për të drejtën tonë historike, si dhe për raportin mes viktimës me agresorin, që për Gjykatën e Hagës janë kthyer përmbys. Vetë Dhomat e Specializuara në Hagë janë krijuar mbi lajme dhe raporte të rreme”, deklaroi Spiropali.
Deputetja socialiste tha po ashtu se pretendimet mbi të cilat janë ngritur Dhomat e Specializuara, “nuk kanë as kontekst ligjor, as kontekst historik dhe nuk mbajnë parasysh as raportin e një regjimi gjenocidal në Kosovë me një trup njerëzish që u ngritën në pragun e shtëpisë së tyre, për të shapërtuar veten dhe familjen, për të garantuar ekzistencën e një kombi që ishte në rrezik”.
“Dhe po të gjykosh sot thjesht mbi statistikat, e të dënuar janë sot për krimet në Kosovë, janë vetëm 5, e sa të dënuar janë gjithsej për krimet e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, krahasuar me numrin e atyre të dënuar nga Kosova, por edhe numrin e viteve burg, është 150 vite burg më shumë për shqiptarët sesa për serbët”.
“Vetëm kjo statistikë të ngjeth”, deklaroi Spiropali.
Ajo bëri edhe një përmbledhje të krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë, duke thënë se UÇK-ja u ngrit pikërisht për të luftuar këtë spastrim etnik.
“13 mijë të vrarë në Kosovë, nga këta 10 mijë civilë të masakruar, 1,500 njerëz të masakruar pa varr, të pagjetur ende varret e tyre, dhe të padënuar ata që kryen këto masakra. Dhe UÇK u ngrit pikërisht për të luftuar këtë spastrim etnik, këtë gjenocid, për të mbrojtur gratë e dhunuara, fëmijë të masakruar, pleq të vrarë… dhe sot kemi ministre në qeverinë e Serbisë që thotë me krenari që po të ishte ajo, do kishte vrarë akoma më shumë”, tha më tej deputetja socialiste.
“Duhet të ketë edhe në qeverinë e Shqipërisë, dhe në të Kosovës, dhe këtu në Kuvend, dy deje financiare që ushqejnë betejën për mbrojtjen e luftëtarëve në Hagë”, u shpreh ndër të tjera deputetja socialiste, Elisa Spiropali.
shpërndaje