Kurti takohet me Hamzën, diskutojnë për hapat pas vendimit të Speciales

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit në shkallën e parë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit është thënë se të dy kanë diskutuar për rrugët dhe mënyrat që duhet ndjekur për ta korrigjuar vendimin e djeshëm. Ata janë zotuar për komunikim të rregullt.

“Duke e vlerësuar aktgjykimin të padrejtë, të rëndë dhe me pasoja të gjera, kryeministri Kurti theksoi se ai duhet ndryshuar pozitivisht në shkallën e apelit. Kurti e Hamza ndanë mendimet dhe përshtypjet e tyre si dhe diskutuan se cilat do të ishin rrugët e mënyrat që duhet ndjekur përpara për të korrigjuar vendimin e djeshëm. Kryeministri Kurti dhe kryetari Hamza u zotuan për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë për çështjet e interesit publik, shtetëror dhe kombëtar”, thuhet në njoftim. “Rezistenca e popullit tonë dhe lufta çlirimtare, përveçse të drejta, ishin të domosdoshme në rrugën për liri dhe pavarësi. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigje organizative e shqiptarëve ndaj një regjimi shtetëror shtypës sikurse ai i Jugosllavisë së Serbisë së Millosheviqit, që i ka të dokumentuara krimet: nga represioni sistematik deri te aparteidi, nga mohimi i të drejtave themelore njerëzore e qytetare deri te spastrimi etnik dhe gjenocidi”. /Zëri